Studentët e Fakultetit të Studimeve Profesionale në UAMD, vizitë studimore në Portin e Durrësit


8 maj 2025

Studentët e vitit të I dhe të II të degës Menaxhim Transporti Detar/ Rrugor, pranë Fakultetit të Studimeve Profesionale, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”Durrës, të udhëhequr nga profesori i tyre Msc.Ing. Artor Kodra, zhvilluan sot një vizitë studimore në Autoritetin Portual Durrës. Kjo vizitë u realizua si pjesë e marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar në kuadër të partneriteti akademik me Qendrën e Ekselencës për Çështje Detare (CEMA) dhe UAMD, të cilat ofrohen për studentët gjatë cikleve të ndryshme të studimit, kryesisht atyre pasuniversitare.
 
Gjatë kësaj vizite studentët janë mirëpritur nga stafi i APD-së në Sallën e Konferencave “Hysni Aruçi”, ku janë njohur nga afër me kapacitetet teknike dhe logjistike të operacioneve portuale si dhe me projektet strategjike infrastrukturore të kompleksit të ri tregtar Durrës-Porto Romano, nëpërmjet prezantimeve informuese të Përgjegjëses së Njesisë së Formimit Profesional, znj. Marinela Kërçuku dhe Drejtuesit të Njesisë së Inovacionit, z. Vegim Hoti.

Investimet në drejtim të infrastrukturës portuale si dhe rëndësia e komponentëve dhe ndërlidhjeve detare, rrugorë dhe hekurudhore të këtyre projekteve, të cilat synojnë ta kthejnë Durrësin në një qendër logjistike në hapësirat Adriatiko-Ioniane ishin tema interaktive të fushës të studimeve të këtyre studentëve.

Ndikimet transformuese në zhvillimet e reja të infrastrukturës portuale në vendin tonë si pjesë e modernizimit dhe vizionit mbi portet e të ardhmes nga njëra anë por edhe oportunitetet që këto investime madhore gjenerojnë në punësimin dhe formimin e profesionistëve të rinj në logjistikën dhe transportin detar përbëjnë një interes të veçantë për stafet akademikë por edhe për profesionistët e rinj, të cilët aspirojnë të fokusojnë karrierën e tyre në industrinë detare.