30 maj 2025
Pas dy vizitave studimore me natyrë teknike janë rikthyer sot për një tur njohës në Portin e Durrësit, studentët e vitit të III-të, të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.
Vizitat studimore të stafeve akademike realizohen si pjesë e marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar në kuadër të partneritetit me Qendrën e Ekselencës për Çështje Detare (CEMA) dhe UAMD, të cilat ofrohen për studentët gjatë cikleve të ndryshme të studimit, kryesisht atyre pasuniversitare.
Një grup prej 20 studentësh të programit “Teknologji Informacioni” u ndalën ditën e sotme për një vizitë në ambjentet e Serverit Qendror të portit, ku u njohën nga afër me proceset teknologjike të sistemit të përpunimit të të dhënave në kryeqendrën portuale të vendit.
Në vijim të vizitës një prezantim i përgjithshëm mbi kapacitetet portuale si dhe sistemet e monitorimit dhe kontrollit të sigurisë në territorin portual u zhvillua për studentët në ambjentet e Sallës së Konferencave “Hysni Aruçi” nën kujdesin e , Drejtorit të CEMA, z. Endrit Pollo Drejtuesit të Njesisë së Inovacionit z.Vegim Hoti dhe Shefit të Sallës Operacionale, z. Dashnor Kllogjri.
Ndalesa e fundit për këtë vizitë ishte Qendra e Shitjeve e “Durres Yachts & Marina”, ku përpos maketit të marinës më të madhe në Ballkan, studentët u njohën edhe me progresin që ky projekt me rëndësi strategjike për vendin ka patur muajt e fundit.
Vizioni për modernizimin dhe transformimin e infrastrukturës portuale, i cili po implementohet tashmë në kompleksin portual Durrës-Porto Romano përbën një fushë të veçantë interesi për stafet akademike dhe profesionistët e rinj për oportunitetet dhe aspiratat që ofron sa i përket punësimit në një gamë të gjerë profilesh të lidhura ngushtë me sektorin detar.








