Era e fortë që fryn nga jugperëndimi dhe stuhia detare kanë vështirësuar përpunimin e anijeve dhe hyrjen në port të trageteve të linjës Bari-Durrës. Ditën e mërkurë, megjithë kushtet e rënduara të motit në hapësirën portuale, situata e sigurisë paraqitet normale.
Në kalatat 1 dhe 6 është ndërprerë përpunimi i anijeve “Neonila” dhe “MSC Jilhan” që po shkarkojnë në dy ditët e fundit arka me xhama dhe kontejnerë. Era e fortë dhe reshjet e shiut që nisën rreth orës 11.00 kanë penguar proçesin e përpunimit të anijeve.
Kushtet e vështira detare dhe era e fuqishme e kanë bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve lundruese të çdo lloj madhësie, nga motopeshkatoret deri te anijet e tonazhit të mesëm. Në kalata ndodhen edhe dy anije të tjera, që kanë përfunduar proçesin e përpunimit dhe presin përmirsimin e kushteve të motit për nisje.
Në gjiun e Durrësit, pranë kepit të Lagjit, janë ankoruar edhe tragetet e linjës Bari-Durrës “Rhapsody” dhe “Rigel 1”, që kanë mbërritur pranë portit rreth orës 8.00. Sipas specialistëve ato do të mbeten edhe disa orë të tjera në radë, në pritje të përmirsimit të kushteve detare, që mundësojnë ankorimin në Terminalin përkatës.