Takim i rëndësishëm mes Autoritetit Portual Durrës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave 

25 korrik 2025 

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Kreshnik Bajraktari, zhvilloi një takim zyrtar me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Shqiptare, z. Genti Gazheli. 

Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet strukturave doganore dhe portuale, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së shërbimeve që ofrohen për qytetarët dhe bizneset, në Portin më të madh detar të vendit, Portin e Durrësit. 

Një vëmendje e veçantë iu kushtua koordinimit të punës në terminalin e kontejnerëve, një nga zonat me zhvillimin më dinamik dhe me rëndësi strategjike për zinxhirin e furnizimit në Shqipëri dhe më gjerë. Rritja e vazhdueshme e volumit të ngarkesave kërkon angazhim të përbashkët dhe operacione të sinkronizuara, për të siguruar efikasitet maksimal dhe lehtësi në përpunimin e mallrave. 

Pavarësisht fluksit të ngarkesave apo kushteve të ditës, strukturat doganore dhe ato portuale vijojnë punën me përkushtim dhe profesionalizëm, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbështetjen e ekonomisë kombëtare dhe të sektorit turistik, veçanërisht gjatë sezonit veror.