02.10.2025
Autoriteti Portual Durrës po merr pjesë në takimin e 5-të të Komitetit Drejtues të projektit RENEWPORT, i cili po zhvillohet në Valencia, Spanjë.
Gjatë punimeve të këtij takimi, përfaqësuesit e APD prezantuan aktivitetet e realizuara deri më tani në kuadër të projektit, ku një ndër arritjet më të rëndësishme është implementimi i paneleve fotovoltaike në taracat e godinave ADM1 dhe ADM2. Ky investim përbën një hap të dukshëm drejt përmirësimit të efikasitetit energjetik dhe përdorimit të burimeve të qëndrueshme të energjisë brenda portit.
Projekti RENEWPORT ka si objektiv kryesor nxitjen e tranzicionit energjetik në portet e Mesdheut përmes përdorimit të energjive të rinovueshme, reduktimit të ndikimit të aktiviteteve portuale në mjedis dhe krijimit të modeleve të zhvillimit më të gjelbra e të qëndrueshme.
Pjesëmarrja e Portit të Durrësit në këtë projekt konfirmon angazhimin e tij për t’u shndërruar në një port të gjelbër dhe miqësor me mjedisin, në përputhje me politikat europiane për energji të pastër dhe zhvillim të qëndrueshëm.

