Të martën e ardhshme, dy anije turistike në kalatat 4 dhe 5 të portit

Pas një jave në portin e Durrësit do të rifillojë ankorimi i anijeve turistike të tipit kroçerë dhe veliera. Megjithëse nuk ka ende të dhëna lidhur me numrin e turistëve që do të zbresin në Durrës, dihet se anijet turistike do të qëndrojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje, për të vijuar më pas lundrimin drejt porteve të tjera të Mesdheut.

Nga Qendra e Informacionit në APD, bëhet e ditur se velieri luksoz “Sea Cloud” vjen për të disatën herë në portin më të madh të vendit tonë. Anija me flamur maltez dhe me gjatësi 109.5 metra do të ankorohet më 5 shtator rreth orës 8.00 në kalatën 4 të portit dhe do të qëndrojë në Durrës deri në orën

18.00. Kjo anije ka nisur lundrimet turistike drejt Durrësit në vitin 2012 dhe ka një kapacitet prej rreth 70-80 turistë. Velieri luksoz ka një personel prej 58 vetësh.

Edhe anija turistike “Sirena” është e njohur në portin e Durrësit. Ajo do të ankorohet në kalatën 5 të portit dhe do të qëndrojë 11 orë në Durrës.

Autoriteti Portual po merr masa për krijimin e kushteve normale gjatë qëndrimit 10-12 orësh të anijeve turistike në port. Deri në fund të muajit tetor të këtij viti në portin e Durrësit priten edhe 8 kroçera dhe velierë gjithsej.