Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH brenda këtij viti do të vendosë, lidhur me kredinë që do të mundësojë zbatimin e projektit për thellimin e pjesës nënujore të basenit portual, pranë kalatave si dhe kanalit hyrës në portin e Durrësit.
Në një nga Buletinet e fundit të saj BERZH bën me dije se miratimi përfundimtar për dhënien e kredisë pritet të shpallet më 10 dhjetor të këtij viti.
Projekti i propozuar kërkon financimin për thellimin e kanalit hyrës dhe basenit portuale në Portin e Durrësit, gjë që mundëson hyrjen dhe akostimin e anijeve 30- mijë tonëshe apo me një ngarkesë prej 1700 TEU njësi kontejnerike.
Thellimi i portit të Durrësit pritet të ketë një impakt të rëndësishëm në trafikun detar të anijeve tregtare, duke rritur interesimin e vendeve të rajonit për volume të mëdha transporti nëpërmjet portit më të madh të vendit tonë.