Drejtori i APD, Artjan Qirici; Presidenti i ASP MAM, Ugo Patroni Griffi dhe Adrian Haskaj, Konsull i Pergjithshëm i Shqipërisë në Bari
Shkurtimi i kohës së shërbimit dhe thjeshtimi i proçedurave portuale për udhëtarët dhe automjetet me tragete, si dhe përmirësimi i infrastrukturave në Portin e Barit ishin disa nga temat që u trajtuan në Takimin e organizuar të enjten me nismën e Konsullit të Përgjithshëm të vendit tonë, Adrian Haskaj, në qytetin Italian.
Presidenti i Autoritetit portual të pesë porteve të Adriatikut Jugor, Ugo Patroni Griffi dhe Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Artjan Qirici, diskutuan mbi funksionimin efiçent dhe të shpejtë të proçedurave të lëvizjes në linjën Durrës-Bari dhe anasjelltas si dhe për sensibilizimin dhe kontributin e të gjitha subjekteve private dhe shtetërore.
Drejtori Ekzekutiv i APD-së, Artjan Qirici, vlerësoi se rritja e volumeve të transportit të mallrave dhe të udhëtarëve, drejt Porteve të Italisë, kryesisht të Barit, përbën një fokus strategjik për zhvillimin e Portit të Durrësit. Një ndër faktorët kryesorë për realizimin e këtij objektivi është thjeshtimi dhe lehtësimi i proçedurave të kontrollit kufitar dhe doganor, si edhe përmirësimi emergjent i infrastrukturës të Terminalit të pritjes së mjeteve dhe pasagjerëve në portin e Barit.
Z. Qirici në vijim të kësaj nisme, ftoi homologun e tij për të vizituar Portin e Durrësit, takim i cili u dakortësua të zhvillohet brenda këtij viti.
Marrëveshja e përbashkët e arritur nga ky takim për fillimin e përpunimit të udhëtarëve dhe automjeteve që mbërijnë në Bari nga ora 08:00 në orën 07:00, si edhe nisja rigoroze ne orën 23:00 nga Porti i Durrësit, përbën hapin e parë në realizimin e objektivave të kësaj nisme.
“Vonesat e pajustifikuara në mbërritje nga Durrësi në Bari e kanë bërë të pamundur planifikimin e orareve në vazhdim nga ana e udhëtarëve dhe kamionistëve-tha më tej Drejtori Ekzekutiv i APD-së.
Në Takimin që u zhvillua dy ditë më parë në Bari u diskutua edhe mbiImplementimin e plataformës informatike (shkëmbimin online të të dhënave) “GAIA” për kontrollin dhe sigurinë portuale, një sistem ky i cili do të riorganizojë dhe thjeshtojë proçedurat kufitare dhe doganore.