Tragetet 2016: afro 840 mijë udhëtarë dhe 173 mijë autovetura gjatë një viti

Tragetet e linjave të lundrimit nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas gjatë vitit të kaluar kanë transportuar 839.598 udhëtarë dhe 172.961 autovetura gjithsej.

Nga statistikat operative të Autoritetit Portual, mësohet se shifrat e udhëtarëve dhe të autoveturave janë përkatësisht 8 dhe 13 përqind më të larta se sa i gjithë viti 2015.

Gjatë periudhës 12-mujore të vitit që lamë pas, 65 mijë udhëtarë më shumë se sa viti paraardhës kanë shfrytëzuar tragetet në hyrje dhe në dalje nga porti i Durrësit. Numri i udhëtarëve në hyrje të portit më të madh të vendit është rritur me 13 përqind, ndërsa ai i udhëtarëve që i drejtohen porteve të Barit dhe Ankonës është rritur vetëm me 5 përqind. Sidoqoftë, numri i udhëtarëve në dalje është më i lartë se sa ai i atyre në hyrje me rreth 16 mijë njësi.

Gjatë vitit 2016 ka patur një rritje të numrit të autoveturave me afro 20.500 njësi gjithsej, ndërsa numri i përgjthshëm i tyre brenda harkut kohor të 365 ditëve ka arritur në 172.961.