770.154 ton mallra të ndryshme janë transportuar nga tragetet e linjave të lundrimit nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas gjatë vitit të kaluar.
Sipas statistikave operative të Sektorit përkatës në Autoritetin Portual, sasia e mallrave me kamjonë dhe trajlera është 3 përqind më e lartë se sa periudha 12-mujore e vitit 2015. Tragetet kanë transportuar mbi 482 mijë ton mallra importi nga portet e Italisë drejt Durrësit, ndërsa pjesa tjetër prej afro 288 mijë ton i përket eksporteve.
Tragetet kanë kryer 1036 lundrime gjithsej, ose 54 lundrime më pak se sa në vitin 2015, megjithatë numri i udhëtarëve dhe autoveturave, si dhe sasia e mallrave është më e lartë, për shkak të kapaciteteve më të mëdha të trageteve në linjë. Më të larta janë edhe sasitë e mallrave me tragete përkatësisht në hyrje dhe dalje nga porti i Durrësit. Gjatë vitit 2016 tragetet janë shfrytëzuar nga 61.962 kamjonë dhe 5.550 trajlera me mallra gjithsej, me një shifër të përgjithshme prej 3.091 automjetesh më shumë se në vitin 2015.