Tragetet 2017: mesatarisht një autoveturë për çdo afro 5 udhëtarë

Gjatë vitit 2017 për çdo afro 5 udhëtarë që ka shfrytëzuar tragetet nga/drejt portit të Durrësit është transportuar edhe një autoveturë.

Nga të dhënat që ofron Sektori i Statistikave në APD mësohet se 880 mijë udhëtarë me afro 259 mijë autovetura gjithsej kanë preferuar të lundrojnë me tragete nga porti i Durrësit drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas gjatë vitit 2017. Në të njejtën periudhë tragetet janë shfrytëzuar edhe nga 73.424 kamjonë dhe trajlerë gjithsej.

Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim gjatë vitit 2017 kanë kryer 1.012 lundrime gjithsej, numri më i ulët i lundrimeve që nga viti 2011, kur tragetet realizuan 1.431 rejse. Në shtatë vitet e fundit ky numër ka ardhur gjithnjë në rënie, bëjnë të ditur statistikat vjetore të Sektorit përkatës në APD. Gjithashtu këto janë shifrat më të larta të transportit të udhëtarëve dhe automjeteve me tragete për periudhën 7-vjeçare 2011-2017 – bënë të ditur burime nga Sektori i Statistikave në APD.