Tragetet, festat e fundvitit sjellin brenda një javë mbi 21 mijë udhëtarë

Gjatë javës së fundit në portin e Durrësit kanë mbërritur me tragete 21,163 udhëtarë me 4,939 autovetura gjithsej, ndërsa pritet që ky numër të rritet edhe më tej gjatë kësaj fundjave.

Festat e fundvitit po sjellin në Durrës mijra bashkëatdhëtarë, të cilët do të festojnë pranë familjeve në qytete të ndryshme të vendit tonë, në Kosovë dhe në Maqedoni.

Nga të dhënat statistikore të Autoritetit Portual, mësohet se ditët e fundit numri i udhëtarëve me tragete është 3-4-fishuar në krahasim me ditët normale.

Çdo ditë në port akostohen 3-4 tragete nga Bari, Ankona dhe Trieste dhe numri i përgjithshëm i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar portin më të madh të vendit në hyrje dhe në dalje, që nga fillimi i muajit dhjetor arrin në 52,400.

Ndërkaq tragetet në të njejtën periudhë kanë transportuar më shumë se 16,300 autovetura, kamionë dhe trailerë gjithsej.