Gjatë muajit janar të këtij viti tragetet e linjave janë shfrytëzuar nga 56.545 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj. Kjo është një shifër 10 përqind më e lartë se sa janari i vitit 2014 – njofton sektori I statistikave të APD. Megjithëse numri i lundrimeve të trageteve ka qenë 10 përqind më i ulët, shifrat e transportit në 31 ditët e para të vitit 2015 janë përgjithësisht më të larta se sa ato të janarit paraardhës.
Sipas të njejtave burime, 40.741 udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Brindizit dhe Ankonës (Itali), duke shënuar një rritje prej 14 përqind krahasuar me të njejtin muaj të vitit paraardhës. Numri i udhëtarëve në hyrje ka qenë shumë më I vogël se në dalje, 15.804 vetë, duke regjistruar një rritje prej vetëm 2 përqind.
Statistikat bëjnë me dije se shifrat e udhëtarëve vendas dhe të huaj në hyrje dhe dalje nga porti i Durrësit kanë shënuar rritje që shkojnë nga 1 deri në 15 përqind, krahasuar me janarin e vitit që shkoi.
Rritje prej 3 dhe 6 përqind është regjistruar edhe në transportin e kamjonëve dhe autoveturave me tragete, ndërkohë që ka patur një rënie me 31 përqind të numrit të trajlerave. Sipas burimeve brenda një muaji tragetet kanë transportuar 10.483 autovetura dhe 4.251 kamjonë, ndërsa sasia e mallrave me tragete arrin në 53.536 ton, ose 1 përqind më e lartë se sa shifrate janarit 2014.