Mbi 246 mijë udhëtarë shqiptarë dhe të huaj kanë shfrytëzuar tragetet e linjave nga Durrësi për të udhëtuar drejt/nga porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali).
Megjithëse tragetet kanë kryer 50 lundrime më pak se sa i njejti muaj i vitit 2014, numri i udhëtarëve është rritur me 5 përqind, ose 12.264 persona më shumë se sa në gushtin e vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe kompanitë e lundrimit kanë vënë në dispozicion tragete me kapacitete më të mëdha se në sezonet e kaluara.
Burime nga Sektori i Statistikave në APD, bëjnë me dije se numri i udhëtarëve edhe në dalje, edhe në hyrje ka patur një rritje të njejtë nga 5 përqind, me 103.105 udhëtarë në hyrje dhe 143.163 në dalje. Numri i autoveturave me tragete në gusht 2015 është rritur me 8 përqind, duke arritur në shifrën 56.273.
Gushti vazhdon të ruajë rekordin e numrit më të lartë të udhëtarëve në krahasim me muajt e tjerë të vitit, për shkak të kthimit masiv të bashkëatdhetarëve për pushimet verore pranë familjeve të tyre.
Udhëtarët shqiptarë po i rikthehen trageteve, dhe gjatë muajit gusht të këtij viti numri i tyre është rritur me 10 përqind, krahasuar me gushtin e vitit 2014.
Ndërkaq ka patur një ulje të numrit të udhëtarëve të huaj me 7 përqind më pak.