Tragetet në janar-maj 2018: 10 përqind më shumë mallra se në janar 2017

Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës –Ankona e kthim gjatë periudhës janar-maj të këtij viti kanë transportuar më shumë mallra dhe më pak udhëtarë se sa në 5-mujorin e vitit të kaluar.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se në këto 5 muaj tragetet kanë transportuar 368.549 ton mallra, të ngarkuar në kamjonë dhe trajlera.

Kjo është një sasi 10 përqind më e lartë se sa e 5-mujorit 2017, ndërsa importet dhe eksportet për të njejtën periudhë janë rritur përkatësisht me 9 dhe 11 përqind.

Tragetet kanë transportuar 29.117 kamjonë dhe 2.497 trajlerë në 5 muaj, përkatësisht 4 dhe 5 përqind më shumë se sa në janar- maj 2017.

Në periudhën janar-maj 2018 tragetet janë shfrytëzuar nga 197.927 udhëtarë dhe 37.814 autovetura.

Nga të njejtat burime mësohet se tragetet kanë kryer 376 lundrime vajtje-ardhje, ose 3 lundrime më shumë se në 5 muajt e një viti më parë.