Tragetet pas festave të fundvitit bashkëatdhetarët udhëtojnë drejt Italisë

Mbrëmjen e kaluar nga porti i Durrësit ka nisur rikthimi masiv me tragete pas festave të fundvitit. Sot në mbrëmje pritet që shifrat të tejkalojnë 2600 udhëtarë dhe 550 autovetura. Në Terminalin e trageteve janë marrë masa për të përballuar përpunimin në kohë të udhëtarëve dhe automjeteve.

Rikthimi i bashkëatdhëtarëve që kaluan festat e fundvitit pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni, ka nisur mbrëmjen e kaluar me rreth 1600 udhëtarë dhe 485 autovetura gjithsej. Dy nga tragetet lundruan drejt portit të Barit, ndërsa i treti drejt Ankonës.

Numri i shqiptarëve që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe që kanë rezervuar për sot në mbrëmje lundrimet drejt porteve të Barit dhe Ankonës pritet të jetë edhe më i madh. Nga të dhënat e deritanishme rezervimet për lundrime me tragetet “Rhapsody”, “Rigel I” dhe “Bari” arrin në 2600 udhëtarë dhe 550 autovetura, ndërsa pritet një rritje tjetër e prenotimeve edhe gjatë orëve në vazhdim.

Pas mbërritjes në fund të vitit të kaluar në Durrës të udhëtarëve dhe automjeteve për festat e fundvitit, tashmë ka nisur udhëtimi i tyre me tragete drejt porteve të Italisë.