Tragetet, rritet numri i udhëtarëve në prag të festave të fundvitit 22 dhjetor 2014

Gjatë fundjavës së kaluar në portin e Durrësit kanë mbërritur me tragete më shumë se 9.600 udhëtarë me 2100 autovetura gjithsej. Afrimi I festive të fundvitit pritet ta rrisë numrin e udhëtarëve në port, ndërsa Autoriteti portual ka marrë masa konkrete për përmirsimin e cilësisë së shërbimeve gjatë këtyre ditëve.

Sipas burimeve portuale të shtunën në Durrës mbërritën 6 tragete nga Bari dhe një tjetër nga Ankona. Përveç të njejtit numër tragetesh nga Bari dhe Ankona të djelën mbërriti edhe një tragete tjetër nga Brindizi.

Nga të njejtat burime mësohet se numri I trageteve këto ditë është trefishuar në krahasim me ditët normale, e po ashtu edhe numri i udhëtarëve dhe automjeteve.

Tre nga tragetet që mbërritën të djelën kanë sjellë në Durrësë më shumë se 1000 udhëtarë secili-thanë burimet, duke shtuar se të gjitha kompanitë e udhëtimeve detare po zbatojnë grafikun e lundrimeve shtesë.

Përveç autoveturave, gjatë dy ditëve të fundjavës tragetet kanë transportuar edhe 372 kamjonë dhe trajlera me mallra importi nga vendet e tjera drejt Durrësit.

Falë bashkëpunimit mes Autoritetit portual, komisariatit të policisë, Kapitenerisë dhe Doganës përpunimi i udhëtarëve dhe automjeteve është kryer në një kohë tepër të shkurtër, ndërsa tragetet kanë mbërritur sipas grafikëve të parashikuar.

Në ditët e ardhshme pritet një rritje e mëtejshme e numrit të udhëtarëve dhe automjeteve që mbërrijnë me tragete në portin më të madh të vendit.