Tragetet, transporti i mallrave rritet më shumë se udhëtarët

Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti tragetet e linjave janë shfrytëzuar nga 150.565 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, një shifër 1 përqind më e lartë se sa 4-mujori i parë i vitit të kaluar – bën me dije sektori i statistikave të APD.

Megjithëse tragetet kanë kryer 9 lundrime më pak se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar, shifrat e transportit të mallrave në 4 muajt e parë të vitit 2015 kanë arritur në 243.415 ton, ose 5 përqind më të larta se sa ato të periudhës janar – prill 2014.

Sipas të njejtave burime operative, 90.977 udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Brindizit, Triestes dhe Ankonës (Itali), duke shënuar një rritje prej 8 përqind krahasuar me të njejtin muaj të vitit paraardhës. Numri i udhëtarëve në hyrje ka qenë shumë më i vogël se në dalje, vetëm 59.588 vetë, duke regjistruar një rënie prej 9 përqind.

Statistikat bëjnë me dije se shifrat e udhëtarëve vendas që shfrytëzojnë tragetet kanë shënuar një rritje prej 5 përqind, ndërsa është regjistruar një rënie prej 13 përqind e udhëtarëve të huaj që zgjedhin këtë lloj shërbimi. Rritje prej 7 përqind ka patur edhe në transportin e kamjonëve me tragete, ndërkohë që vihet re një rënie prej 5 përqind në numrin e përgjithshëm të autoveturave.

Gjatë këtij 4-mujori tragetet kanë transportuar 25.991 autovetura dhe mbi 21 mijë kamjonë dhe trajlerë.