Që nga 31 korriku në linjën detare Durrës – Bari e kthim do të fillojë lundrimet trageti “Rhapsody”, i kompanisë së njohur italiane GNV (Grandi Navi Veloci).
Ky traget i shtohet anijeve ekzistuese për udhëtarë në linjat nga Durrësi drejt Barit, Brindizit, Ankonës dhe Triestes. Katër ditë në javë trageti do të lundrojë çdo ditë nga Bari në ora 23.00 dhe nga Durrësi në orën 11.00 të ditës pasardhëse, ndërsa ditët e tjera do të realizojë vetëm nga një lundrim.
Trageti “Rhapsody” është prodhuar në vitin 1996 dhe ka punuar në linjat detare me emrin “Napoleon”. Pas rinovimeve në muajt e fundit trageti me një kapacitet 2448 udhëtarë ka marrë emrin e ri “Rhapsody”. Trageti që do të hyjë në linjë në ditën e fundit të këtij muaji mund të transportojë gjithashtu 700 automjete. Ai ka 553 kabina, si dhe disa bare e restorante.
Trageti “Rhapsody” është ndërtuar në kantjeret e San Nazarit (Francë) dhe që nga viti 2014 është regjistruar në portin e Valetas (Maltë). Ai ka një gjatësi të përgjithshme prej 172 metra, gjërësi 30.4 metra dhe arrin shpejtësinë 23.8 milje në orë. 196 vetë përbëjnë personelin e tragetit “Rhapsody”.