Tre anije me afro 59 mijë ton qymyr dhe çimento në një javë

Sot në mbrëmje në radën portuale pritet anija “Yanning Sea” me gjatësi 190 metra, e cila do të sjellë nga Houston (Teksas-SHBA) një sasi prej 24.193 ton qymyr, porosi e kompanisë kosovare “Lab Oil”. Kapaciteti i anijes arrin në 55.580 ton.

Që nga fillimi i javës kjo është e treta anije që ankorohet në Terminalin Lindor dhe që po përpunojnë sasi të mëdha qymyri dhe çimento.

Aktualisht në kalatën 10 të këtij Terminali anija “Sirios Cement 1” po ngarkohet me 12.500 ton çimento për eksport. Kjo anije që nga fillimi i vitit ka mbërritur në port më shumë se 15 herë, duke u ngarkuar mesatarisht me 10 mijë ton çimento për eksport në çdo lundrim.

Ditën e hënë në të njejtin Terminal përfundoi përpunimi i anijes “UBC Tokyo”, e cila shkarkoi 21.824 ton qymyr, porosi e kompanisë “Antea Cement” në Fushë Krujë.