Tre anije me afro 9.000 ton grurë në dy ditët e ardhshme

Në dy ditët e ardhshme në portin e Durrësit pritet të ankorohen tre anije me 8.933 ton grurë gjithsej. Gjatë vitit 2016 në portin më të madh të vendit janë përpunuar afro 150 mijë ton grurë, porosi e grosistëve vendas, dhe që vjen kryesisht nga portet e Rusisë dhe Ukrainës.

Edhe gjatë muajit janar të këtij viti në kalatat e portit janë shkarkuar disa anije me grurë.

Anija “Ruzgar bey” me 3006 ton grurë ka mbërritur tashmë në radën portuale, ndërsa gjatë 24 orëve të ardhshme priten edhe anijet “Vizantin” dhe “Reina” me përkatësisht 2771 dhe 3.156 ton.

Gjatë vitit 2016 nga anijet dhe tragetet në portin e Durrësit u përpunuan afro 3.5 milion ton mallra të ndryshme.