Në kalatat e portit sot në mesditë vazhdon përpunimi i 6 anijeve me 29 mijë ton mallra të ndryshme. Pesë prej tyre janë ankoruar dje në 5 kalatat e Terminalit të Mallrave Gjenerale, ose siç njihet ndryshe Terminali Perëndimor që administrohet nga Autoriteti Portual Durrës.
Nga të dhënat e Qendrës së Informacionit në APD, mësohet se sipas planit operativ, gjatë paradites po punojnë 3 skuadra të kompanive stivadore, si dhe 6 elektrovinxhë të kalatave 1, 2, 4 dhe 5.
Tre anije të ngarkuara me 11.254 ton grurë gjithsej po përpunohen në kalatat 1, 4 dhe 5. Në kalatën 2 po shkarkohet anija “NS Angela” me 2786 ton paleta me melaminë. Në kalatën 5 po nis shkarkimi i anijes “Thunder” me 2.376 ton xhama, ndërsa sot paradite në kalatën 11 është ankoruar anija “Sirios Cement 1” që do të ngarkohet me 12.500 ton çimento për eksport.
Në radën portuale dhe në pritje janë gjithashtu edhe 5 anije të tjera me afro 14 mijë ton mallra gjithsej, si grurë, rrotativa llamarine, superfosfat, nitrat dhe makineri.