TV italian RAI TRE në kalatat e portit, xhirime dhe intervista për eksodin 1991

Ditët e fundit në portin e Durrësit zhvilloi një vizitë pune një ekip xhirimi i televizionit shtetëror italian RAI TRE.

Grupi i xhirimit, i drejtuar nga gazetarja Liza Boschin realizoi xhirime dhe intervista pranë kalatave tw portit, ku në mars dhe në gusht të vitit 1991 mijra shqiptarë u nisën me anije në drejtim të brigjeve italiane.

Një nga intervistat me të njejtën temë, si dhe për situatën ekonomike në Shqipëri u realizua me një nga përfaqësuesit e APD.

Në kuadër të edicionit të ri të emisionit “Presadiretta” që transmetohet prej 10 vitesh në këtë Televizion gazetarët italianë po përgatisin një reportazh që synon të tregojë periudhën e eksodit dhe migracionit të madh të shqiptarëve drejt Italisë.

Sipas komunikimit zyrtar me drejtorinë e APD, reportazhi synon të tregojë edhe historitë njerëzore dhe progresin ekonomik të atyre që u kthyen në Shqipëri, por edhe historitë e atyre shqiptarwve që u integruan në Itali.

Drejtuesit e redaksisë së emisionit “Presadiretta” bënë të ditur gjithashtu se situata e re e stabilitetit në Shqipëri është një tjetër synim i realizuesve të reportazhit.

Përveç xhirimeve në Durrës gazetarët italianë kishin parashikuar edhe intervista në institucionet qendrore në Tiranë.