UAMD organizon për herë të parë “Panairin e Punës dhe të Karrierës”/ 24 qershor 2021

Rreth 150 biznese nga Durrësi, Tirana dhe me gjerë, morën pjesë në “Panairin e Punës dhe të Karrierës”, organizuar për herë të parë në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.

Për disa orë me radhë qindra studentë vizituan stendat e institucioneve shtetërore, sipërmarrjeve private dhe organizatave të ndryshme për t’u njohur nga afër me mundësitë e ofruara për praktika profesionale dhe punësim.

Disa prej kompanive të pranishme, i firmosën kontratat e punës me të përzgjedhurit e tyre, pikërisht gjatë Panairit.

Autoriteti Portual Durrës u paraqit në këtë panair me oferta për kryerjen e praktikës profesionale, si dhe për punësim. Ndërkaq u lidhën disa kontrata me studentë të UAMD,  kryesisht nga degë studimore që kanë lidhje me detarinë, të cilët duan të kryejnë praktikën pranë institucionit tonë,

Për rektoren e Universitetit, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, “tranzicioni sa më i mirë i studentëve drejt tregut të punës është një ndër synimet e Universitetit të Durrësit”.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Biznesit, Prof. As. Dr. Shkëlqim Fortuzi, vuri theksin në qëllimin e këtij Panairi, që përveç praktikave profesionale dhe punësimit të të rinjve, synon edhe përshtatjen e kurrikulave studimore me tregun e punës.

Në aktivitet ishin të pranishëm edhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Milva Ekonomi dhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduart Shalsi.

Znj. Ekonomi u shpreh se “ky panair i organizuar, dhe jam besimplotë që do të vazhdojë të organizohet, është një mënyrë për të shkuar më pranë të rinjve dhe për të dhënë sa më shumë informacion të drejtpërdrejtë për ekonominë e dijes”.

Ndërsa z. Shalsi falenderoi organizatorët dhe i ftoi të rinjtë të marrin pjesë në sa më shumë aktivitete të tilla që i orientojnë për realizimin e praktikave profesionale duke iu lehtësuar edhe kontaktin e drejtpërdrejtë me punëdhënësit potencialë.

Gjatë ditës së Panairit u organizua edhe “Forumi i Parë Kombëtar mbi Punësimin Rinor”, me aktorë të botës akademike, sipërmarrjes, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, ku u diskutua mbi prirjet e tregut të punës në vend, përgatitjen e të studentëve për të qenë sa më konkurrues, përmirësimin e kurrikulave studimore, etj.

Në Forum, Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social në Bashkinë Tiranë, znj. Anisa Subashi solli shembullin e Qendrës së Këshillimit të Karrierës në Bashkinë e kryeqytetit, e para e këtij lloji në vend, e cila ndihmon të rinjtë që kërkojnë punë. Ndërsa, znj. Edlira Muhedini nga “Risi Albania” foli mbi projektin e Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC), që mbështet mundësitë për punësim përmes zhvillimit të sektorit privat, shërbimeve të këshillimit të karrierës, si dhe zhvillimit të aftësive të të rinjve përmes të nxënit jo-formal.

Alban Isteri, Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, u ndal në nevojën për të bashkërenduar përpjekjet mes universitetit dhe sipërmarrjes, në mënyrë që studentët të jenë të gatshëm për një treg pune gjithnjë në zhvillim.