Velieri luksoz me katër direkë në port, 60 turistë nga SHBA dhe Evropa në Durrës 04.09.2013

Një anije turistike, velier, me gjatësi 109 metra mbërriti sot paradite në port, në kuadër të një turi mesdhetar. Anija luksoze “Sea Cloud” ka katër direkë dhe është një nga më të mëdhatë me destinacion turistik që ka vizituar portin e Durrësit.

Autoriteti portual është kujdesur të krijojë kushte të mira ankorimi për anijen velierë “Sea Cloud” me flamur të Maltës, e cila është sistemuar në orën 8.00 në kalatën 6 të portit të Durrësit.

Burime zyrtare nga agjencia pritëse, bënë të ditur se anija me vela “Sea Cloud” ka në bord 60 turistë nga SHBA dhe nga vende të ndryshme të Evropës. Ajo ka lundruar gjatë natës së kaluar nga Saranda drejt Durrësit dhe sot në mbrëmje do të udhëtojë drejt njërit prej ishujve turistikë të Malit të Zi.

Gjatë ditës turistët e huaj do të vizitojnë qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit, Krujës dhe Tiranës.

Kjo është vizita e dytë e këtij velieri në portin e Durrësit, pas asaj të shtatorit të vitit 202.

Anija do të kryejë edhe një lundrim tjetër turistik drejt Durrësit brenda këtij muaji.