Ndërkohë që vijon aplikimi i masave drastike për parandalimin e përhapjes së Covid-19, Porti i Durrësit mbetet porta kryesore për import-eksportin në këtë kohë karantine.
Sot paradite, në të tre Terminalet e mallrave po përpunohen 8 anije tregtare, me një sasi të përgjithshme prej 23,500 t, ndërsa priten edhe tre anije të tjera me rreth 10,500 t mallra.
Në Terminalin e trageteve është akostuar sot në mëngjes një anije me kamionë dhe trailerë me ushqime dhe pajisje importi. 270 konteinerë po shkarkohen nga një anije e akostuar në Terminalin përkatës.
Në Terminalin Perëndimor vijon përpunimi i pesë anijeve me çimento, xhama dhe grurë. Ndërkaq, në Terminalin Lindor po ngarkohet një anije me çimento për eksport, dhe nga një tjetër po shkarkohet skrap.
“Autoritetit Portual operon në kushtet e stafit të reduktuar, në zbatim të masave të sigurisë dhe vigjilencës shëndetësore kundër Covid-19”, u shpreh në një prononcim për median zëdhënësi i Autoritetit Portual, Gëzim Kabashi.
“Sigurisht, stafi operacional dhe siguria portuale janë në krye të detyrës. Bashkëpunimi dhe solidariteti me agjencitë ligjzbatuese, Drejtorinë Detare, Policinë kufitare, Doganat dhe AKU na jep shpresë në këto ditë të vështira” vijoi Kabashi.
Autoriteti Portual Durrës lut qytetarët dhe operatorët privatë që të respektojnë masat e marra nga qeveria, dhe të privilegjojnë komunikimin elektronik për çdo kërkesë ose shqetësim. Për këte arsye është vënë në dispozicion dhe linja e gjelbër telefonike, pa pagesë:
0800 73 74.