Vizitë e delegacionit të nivelit të lartë të NATO-s në Portin e Durrësit

9.9.2026

Porti i Durrësit mirëpriti një delegacion të nivelit të lartë të NATO-s, të kryesuar nga Komandanti i Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, i shoqëruar nga përfaqësues të Forcave të Armatosura dhe Komandanti i Forcës Detare, Kundëradmiral Arsen Mullaj.

Delegacioni u prit nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, z. Andrea Shllaku, dhe Oficeri i Sigurisë së Portit, z. Dritan Prifti.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e NATO-s u njohën nga afër me kapacitetet përpunuese, shërbimet dhe infrastrukturën e Portit të Durrësit, si dhe me rëndësinë strategjike të Bazës Detare të NATO-s në Porto Romano për sigurinë dhe logjistikën rajonale.

Vizita u zhvillua me fokus të veçantë te roli strategjik i Portit të Durrësit dhe i Bazës Detare të NATO-s në Porto Romano në mbështetje të Korridorit VIII, lëvizshmërisë dhe bashkëpunimit me strukturat euroatlantike.

Ky takim konfirmon rëndësinë e Durrësit si një nyje kyçe e transportit, logjistikës dhe sigurisë rajonale, si dhe rolin e tij në forcimin e bashkëpunimit me NATO-n.