Vizitorë të rëndësishëm me anije turistike luksoze në port -Tre jahte luksoze u ankoruan në kalatat 1 dhe 4 paraditen e sotme-

Tre anije turistike luksoze me gjatësi 74-99 metra janë ankoruar sot paradite në kalatat 1 dhe 4 të portit më të madh të vendit.

Dy prej tyre, “Kingdom” dhe “Moonlight II” që kanë lundruar nga ishulli i Korfuzit (Greqi) drejt Durrësit u ankoruan rreth orës 11.30 në kalatën 4 . Pjesmarrës në grupin e mikpritësve, ambasadori i vendit tonë në Arabinë Saudite, Sami Shiba tha për APD, se në anije udhëton Lartësia e tij mbretërore Princ Alwaleed bin Talal bin Abdulaim Al-Saud. Anëtari i familjes mbretërore të Arabisë Saudite do të zhvillojë një takim me kryministrin e Shqipërisë Edi Rama-tha ambasadori Shiba.

Jahti “Kingdom” me gjatësi 74 metra ka flamurin e Arabisë Saudite dhe është regjistruar në portin e Jeddahut, ndërsa “Moonlight II” me gjatësi 77 metra është regjistruar në portin e Valletas me flamur Mmaltez.

Ndërkohë në kalatën 1 të portit të Durrësit qëndroi për disa orë jahti “Christina 0” me gjatësi 99 metra dhe flamur maltez. Jahti ishte nisur drejt Durrësit nga një prej porteve të Italisë.