Zona portuale lindore, projekte të tjera për infrastrukturën 07.06.2013

Në hapësirën juglindore të portit vazhdojnë punimet e fundit për realizimin e dy projekteve infrastrukturore, ndërsa është përgatitur tenderi për ndërtimin e një rruge të re portuale drejt kalatës së re lindore. Këto ditë në të njejtin territor ka përfunduar edhe rikonstruksioni i plotë i kalatës 10 me një vlerë 1.13 miliard lek.

Projekti i hyrjes nr 4 me një investim të përgjithshëm prej 159 milion lek është përqëndruar në punimet ndërtimore për Portën e re, e cila do të pajiset me një sistem elektronik modern kontrolli dhe sigurie.

Traseja dhe asfaltimi i rrugës me gjatësi 740 metra dhe gjërësi 19 metra ka përfunduar tërësisht në njërën prej korsive trekalimëshe, ndërsa vazhdojnë intensivisht një sërë punimesh të tjera.

Investimi përfshin një sipërfaqe të përgjithshme punimesh prej 27 mijë metër katrore. Përveç elementëve të Portës, nr 4 ka përfunduar ndërtimi i një sheshi prej 5500 metra katrore me godinën përkatëse për të gjithë automjetet që nuk kanë prenotuar paraprakisht udhëtimin me traget.

Investimi tjetër me vlerë 31.5 milion lek ka shërbyer për ndërtimin e rrugës së re dytësore drejt godinës së Doganës së portit, si dhe për sistemin e ri të tubacioneve për furnizimin me ujë të të gjitha kalatave, shesheve dhe zyrave portuale.

Këto ditë do të zhvillohet edhe tenderi për ndërtimin e rrugës së re, nga rrethrrotullimi i ri drejt kalatës lindore.

Projektet infrastrukturore po zbatohen në pjesën lindore të portit, atje ku ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i kalatës 10 me një vlerë 1.13 miliard lek.