Që nga fillimi i vitit 2017 në kalatat e portit të Durrësit, janë ankoruar 240 jahte turistike, drejtuesit e të cilëve pasi kanë marrë shërbimet përkatëse kanë vizituar edhe qytetin-port. Ky është një numër më i lartë se sa numri i jahteve të ankoruara në Durrës gjatë gjithë vitit 2016.
Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se gjatë këtij viti janë ankoruar për herë të parë në Durrës një numër i madh jahtesh luksoze, me gjatësi deri në 100 metra, të cilat përveç qëllimeve turistike dhe të shërbimit kanë sjellë mysafirë edhe për bisedime me autoritetet shqiptare.
Mësohet gjithashtu se numri i anijeve turistike që kanë mbërritur në port në më pak se 9 muaj është më i lartë se sa ai i jahteve, që u ankoruan gjatë gjithë vitit 2016, gjithsej 218 jahte nga vende të ndryshme.
Vetëm gjatë muajit gusht 2017 në portin e Durrësit janë ankoruar 71 jahte, numri më i madh i kësaj kategorie mjetesh lundruese që kanë mbërritur në një muaj.
“Kaliste”, “Mirana”, “Sea Dew”, “Lucipara 2”, apo “Moonlight”, “”Kingdom”, “Anemos”, “Oktegon”, “Smile”, “Carpe diem”, janë disa nga emrat e jahteve me gjatësi të ndryshme dhe nga porte të ndryshme, që kanë zgjedhur të ndalojnë nga disa orë në një javë në portin më të madh të vendit tonë.
Ato janë vendosur kryesisht në kalatat 1, 2, 4 apo 5 të Terminalit perëndimor, që administrohet nga APD.