Autoriteti Portual Durrës, pjesë e programit ndërkombëtar “Port Maintenance Planning” në Japoni 

17.11.2026 

Autoriteti Portual Durrës (APD) mori pjesë në programin ndërkombëtar të trajnimit “Port Maintenance Planning”, të zhvilluar në Japoni gjatë periudhës 4 tetor-7 nëntor 2026, me përfaqësimin e inxhinierit Gjergj Kota. 

Programi u organizua nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), në bashkëpunim me Institutin Japonez për Zhvillimin e Zonave Bregdetare Jashtë Vendit (OCDI) dhe Ministrinë e Tokës, Infrastrukturës, Transportit dhe Turizmit të Japonisë (MLIT). 

Trajnimi është pjesë e programit “Knowledge Co-Creation Program” (KCCP), përmes të cilit JICA mbështet zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe forcimin institucional të vendeve partnere, nëpërmjet shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. 

Gjatë programit, përmes leksioneve, diskutimeve me ekspertë dhe vizitave studimore në portet e Yokohama-s, Kobe-s dhe Hakata-s, pjesëmarrësit u njohën nga afër me praktikat japoneze në planifikimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës portuale, garantimin e sigurisë së operimeve, përdorimin e teknologjive të reja, si dhe menaxhimin dhe përgatitjen e porteve për përballimin e fatkeqësive natyrore. 

Një nga rezultatet konkrete të këtij programi ishte hartimi i një Plani Veprimi për Portin e Durrësit, i cili përmban propozime për përmirësimin e proceseve të planifikimit të mirëmbajtjes dhe digjitalizimin e informacionit mbi infrastrukturën portuale. 

Përvoja dhe njohuritë e përfituara gjatë këtij programi përbëjnë një kontribut të vlefshëm për forcimin e kapaciteteve teknike të Autoritetit Portual Durrës dhe për zhvillimin e mëtejshëm të praktikave të mirëmbajtjes, me synim rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe eficiencës së infrastrukturës portuale.