Porti i Durrësit, nyje strategjike për transportin dhe logjistikën në rajon 

17.11.2026

Autoriteti Portual Durrës prezantoi potencialin e zhvillimit portual shqiptar në Forumin e Biznesit Shqipëri-Japoni, një aktivitet që synon nxitjen e marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e mundësive të reja për bashkëpunim dhe investime mes dy vendeve. Në këtë forum, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Andrea Shllaku, ishte pjesë e panelit të prezantimeve, ku prezantoi rolin e Portit të Durrësit në sistemin e transportit dhe logjistikës, kapacitetet aktuale të përpunimit të mallrave dhe drejtimet kryesore të zhvillimit të infrastrukturës portuale. 

Vëmendje e veçantë iu kushtua projektit të Portit të ri Tregtar në Porto Romano, një investim strategjik që synon zgjerimin dhe modernizimin e kapaciteteve portuale të Shqipërisë. Projekti parashikon krijimin e një infrastrukture të re tregtare, me kapacitete të dedikuara për përpunimin dhe magazinimin e mallrave, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve logjistike. 

Porti i ri Tregtar në Porto Romano përfaqëson një hap të rëndësishëm në perspektivën afatgjatë të zhvillimit të transportit detar në Shqipëri. Përmes infrastrukturës së re dhe rritjes së kapaciteteve operacionale, synohet përmirësimi i kushteve për përpunimin e ngarkesave, rritja e eficiencës së shërbimeve portuale dhe forcimi i lidhjeve tregtare me tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. 

Gjithashtu, zhvillimi i këtij projekti krijon mundësi për tërheqjen e investimeve, përfshirjen e operatorëve të rinj ekonomikë dhe krijimin e partneriteteve ndërkombëtare në sektorin e transportit, logjistikës dhe shërbimeve detare. 

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Autoritetit Portual Durrës në Forumin e Biznesit Shqipëri-Japoni kontribuon në promovimin e potencialit të porteve shqiptare, prezantimin e projekteve strategjike përpara komunitetit ndërkombëtar të biznesit dhe forcimin e komunikimit me partnerë të mundshëm për bashkëpunim dhe investime. 

Përmes këtyre aktiviteteve, Autoriteti Portual Durrës vijon të promovojë rolin e portit si një nyje e rëndësishme e transportit dhe logjistikës në rajon, si dhe perspektivën e tij për t’u integruar më tej në rrjetet ndërkombëtare të tregtisë dhe transportit detar.