Anija turistike mbërrin për të pestën herë që nga fillimi i sezonit-
161 turistë të tjerë, kryesisht nga Franca, kanë mbërritur sot paradite në Durrës me kroçerën “La Belle de L’Adriatique”.
Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual APD, bëhet e ditur se anija me gjatësi 111 metra dhe me flamur belg ankorohet për të pestën herë që nga fillimi i këtij sezoni turistik në portin më të madh të vendit. Vetëm me këtë kroçerë që nga mesi i muajit shkurt kanë mbërritur në Durrës 754 turistë gjithsej.
Pjesa më e madhe i janë drejtuar kryeqytetit për vizita të organizuara në qendrat historike, ndërsa të tjerët kanë vizituar qendrat muzeale të Durrësit. Gjatë këtij sezoni turistik ajo pritet të ankorohet edhe katër herë të tjera në portin e Durrësit.