Kamjonët dhe trajlerët me targë shqiptare që kanë shfrytëzuar tragetet gjatë vitit 2018 kanë transportuar mbi 633 mijë ton mallra import-eksporti nga/drejt Durrësit. Shifra zë rreth 72 përqind të transportit të kryer me kamjonë dhe trajlerë, ndërsa pjesën e mbetur prej 242 mijë ton e zënë kamjonët dhe trajlerët me targa të huaja.
Sektori i Statistikave në APD, ka bërë të njohur këto ditë, të dhënat e transportit intermodal me automjete, të cilat pasi mbërrijnë në destinacionet portuale vijojnë udhëtimin rrugor drejt vendeve të tjera në Evropën Perëndimore apo në vendet e Ballkanit. Pjesa më e madhe e mallrave me kamjonë dhe trajlerë që transportohen me tragete me sistemin e transportit intermodal i përkasin linjës Bari-Durrës e kthim, me 354.588 ton gjithsej. 267.243 ton të tjera transportohen me kamjonë dhe trajlera përmes linjës Ankona – Durrës e kthim. 12 mijë ton gjithsej i janë drejtuar portit të Triestes, ose kanë mbërritur nga ky port në Durrës.
Në vitin që lamë pas në portin e Durrësit kanë mbërritur me tragete afro 40 mijë kamjonë dhe trajlera gjithsej, ndërsa janë larguar mbi 36 mijë të tjerë. Sipas specialistëve të sektorit të Statistikave, Transport Intermodal – është lëvizja e mallrave nga origjina në destinacion me disa mënyra transporti. Çdo mënyrë ka një ofrues të ndryshëm të transportit ose subjekte përgjegjëse, secili me kontratën e vet të pavarur. Transportuesit e shumtë janë kontraktuar për të përmbushur një udhëtim të vetëm.