345 turistë me kroçerën “Berlin”, 4 orë vizita sot në Durrës

345 turistë nga vende të ndryshme kanë mbërritur sot në mesditë në portin e Durrësit me kroçerën “Berlin”, e cila ankorohet për herë të dytë brenda 3 javësh në portin më të madh të vendit. Gjatë qëndrimit prej 4 orësh në Durrës ata do të vizitojnë qendrat muzeale dhe arkeologjike të qytetit bregdetar. Një pjesë e turistëve do të shëtisin të organizuar me autobuzë, ndërsa të tjerët kanë zgjedhur të vizitojnë në këmbë qytetin e Durrësit.

Pjesa më e madhe e tyre (212) janë nënshtetas gjermanë, por nuk mungojnë edhe turistë nga Austria (71), Finlanda (33), Zvicra (3), si dhe nga Bullgaria, Danimarka, Hollanda, Norvegjia, Turqia, Suedia, Rumania dhe SHBA.

Kroçera “Berlin”u ankorua në kalatën 5 sot rreth orës 12.45. Ajo ka një gjatësi prej 139.3 metra dhe është regjistruar në Valleta me flamur maltez. Në bordin e saj punon një personel prej 176 vetë.

Kjo është kroçera e tretë që ka mbërritur në Durrës që nga fillimi i këtij sezoni turistik, ndërsa priten edhe 19 kroçera me kapacitet deri në 1500 udhëtarë. Bashkë me to do të ankorohen edhe disa velierë luksozë, që prej disa vitesh ndalojnë në portin më të madh të vendit tonë. Megjithëse Durrësi është një port përpunimi mallrash, vazhdimisht Autoriteti Portual ka marrë të gjitha masat për ankorimin e kroçerave në kalatat qendrore 4 dhe 5, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hapësirën portuale gjatë qëndrimit prej 10-14 orë në Durrës.