Dita Ndërkombëtare e së Drejtës për Informim, 28 SHTATOR 

28 shtator 2026

28 Shtatori shënon Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim, një datë që nënvizon rëndësinë e aksesit të qytetarëve në informacionin publik dhe rolin e transparencës në funksionimin e institucioneve. 

Dita Ndërkombëtare për Qasjen Universale në Informacion u shpall nga UNESCO në vitin 2015, ndërsa në vitin 2019, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e njohu zyrtarisht 28 Shtatorin si ditë ndërkombëtare. 

E drejta për informim u mundëson qytetarëve të marrin informacion mbi veprimtarinë e institucioneve publike, mënyrën e marrjes së vendimeve dhe përdorimin e burimeve publike. Ajo përbën një element të rëndësishëm të transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare. 

Në kuadër të kësaj dite, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka ndërmarrë një nismë ndërgjegjësuese, përmes shpërndarjes dhe afishimit të materialeve informuese pranë autoriteteve publike. 

Me mesazhin “Ti ke të drejtë të informohesh. Ne kemi detyrim të përgjigjemi”, materialet informojnë qytetarët mbi mënyrën e ushtrimit të së drejtës për informim. Përmes kodeve QR, qytetarët mund të aksesojnë Formularin Model të Kërkesës për Informacion, si dhe formularin e ankesës pranë Komisionerit. 

Materialet janë përcjellë edhe në format elektronik, me qëllim publikimin e tyre në faqet zyrtare të institucioneve, duke e bërë informacionin të aksesueshëm edhe për qytetarët përmes platformave online. 

Autoriteti Portual Durrës i bashkohet kësaj nisme, duke e konsideruar transparencën dhe aksesin në informacion pjesë të rëndësishme të komunikimit me publikun dhe të marrëdhënies së institucionit me qytetarët. 

E drejta për informim është një e drejtë themelore dhe një element i rëndësishëm i një administrate publike transparente, të aksesueshme dhe llogaridhënëse.