Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, znj. Yuri Kim, ka zhvilluar këtë të enjte një vizitë në Portin Durrësit. Diplomatja amerikane u ndal fillimisht në ambientet e degës së Doganës në Durrës ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Genti Gazheli. Në vijim të vizitës së saj, znj. Kim zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, z. Pirro Vengu.
“Përparësitë tona për Demokracinë, Sigurinë dhe Përmirësimin e Klimës së biznesit, mishërohen në Portin e Durrësit”, theksoi znj. Kim. Bashkëpunimi midis agjencive ligj-zbatuese amerikane dhe atyre shqiptare, ka çuar në shumë operacione të suksesshme në mbarë vendin. Suksesi i këtij bashkëpunimi në fushën e sundimit të ligjit, prodhon efekte në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, si një destinacion për investimet amerikane, nënvizoi ambasadorja.
Kreu i APD- së, duke konfirmuar bashkëpunimin e suksesshëm mes agjencive të specializuara amerikane dhe administratës detare shqiptare, informoi ambasadoren mbi ecurinë dhe sfidat e operacioneve portuale në Durrës, si në rrafshin tregtar ashtu dhe në atë të sigurisë dhe mjedisit.
“Plani i Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e infrastrukturës portuale dhe investimet e pritshme në zonat Durrës – Porto Romano, janë jetike për banorët e Durrësit, transformues për vendin dhe strategjikë për mbarë rajonin” theksoi z. Vengu. Gjatë takimit, palët identifikuan një sërë hapash dhe projektesh të përbashkëta në mbeshtetje të sigurisë portuale dhe detare.
Në përmbyllje të vizitës së saj, znj. Kim, në praninë e Komandantit të Forcës Detare, z. Ilir Xhebexhia, u ndal dhe në zonën portuale ku do të realizohet “Defender Europe 2021”, stërvitja më të madhe ushtarake në Europë përgjatë së cilës mbi 6000 trupa amerikane dhe aleate do të ndërveprojnë me trupat shqiptare. Përzgjedhja e Portit të Durrësit për realizimin e stërvitjes, u cilësua nga bashkëbiseduesit si një tjetër element i rëndësishëm i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e aftësive ndërvepruese mes strukturave aleate si dhe avancimin e standardeve të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.