Analiza vjetore e Forcës së Sigurisë Portuale

                      24 janar 2025

U zhvillua një ditë më parë analiza vjetore e Forcës së Sigurisë Portuale Durrës, me pjesëmarrjen e  kreut të APD-së, z. Kreshnik Bajraktari si dhe drejtuesve të saj.

Në raportin e mbajtur nga Drejtori i Sigurisë, z. Alfred Velaj si dhe drejtuesit e strukturave organike u nënvizuan disa nga objektivat e realizuara me sukses përgjatë vitit 2024, ndërkohë që u ndalën edhe në problematikat e evidentuara gjatë veprimtarisë së përditshme të efektivit të sigurisë portuale.

Gjatë vitit që po lemë pas në territorin e portit punonjësit janë përballur me 218 incidente si tentativa të paligjshme për kalimin e kufirit, rënie zjarri, tentative vjedhjeje, dëmtim infrastrutkure, etj. Në raport u theksua puna e mirë në mbështetje të përpunimit të anijeve kroçera dhe anijeve ushtarake, mysafire në portin e Durrësit. Gjatë vitit 2024 janë zhvilluar një sërë trajnimesh me tema që lidhen me zonat e kufizuara, nivelet e sigurisë, kërcënimet nga terrori, përgatitja fizike, etj.

Kreu i APD-së, z. Bajraktari vlerësoi impenjimin dhe seriozitetin e treguar nga efektivi i sigurisë përgjatë vitit që lamë pas, duke theksuar angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj kësaj strukture për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve profesionale me qëllim konsolidimin e forcës vepruese dhe parandaluese ndaj veprimtarive që cënojnë standardet e sigurisë në hapësirat e portit më të madh në vend.