Analiza vjetore e FSPD, gjithçka për rritjen e standarteve të sigurisë 23 dhjetor 2014

Forca e Sigurisë Portuale është një faktor i rëndësishëm veprues në performancën e Autoritetit portual të Durrësit. Me këtë frymë u zhvillua sot në mesditë analiza vjetore e FSPD, në të cilën morri pjesë edhe drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, Selim Belortaja.

Në raportin e mbajtur nga nëndrejtori I FSPD, Dritan Prifti, u nënvizuan disa nga arritjet e këtij viti, ndërsa u ndalua më shumë në problematikat gjatë veprimtarisë së përditshme të punonjësve të kësaj Force. Gjatë vitit që po lemë pas në territorin e portit punonjësit janë përballur me 44 incidente si tentativa të paligjshme për kalimin e kufirit, rënie zjarri, tentative vjedhjeje, etj; ndërsa janë shoqëruar në mjediset e saj 41 persona. Në raport u theksua puna e mirë në mbështetje të përpunimit të 17 anijeve kroçera dhe 8 anijeve ushtarake, mysafire në portin e Durrësit. Gjatë vitit 2014 janë zhvilluar një sërë trajnimesh me tema që lidhen me zonat e kufizuara, nivelet e sigurisë, kërcënimet nga terrori, përgatitja fizike, etj.

Drejtori ekzekutiv, Selim Belortaja pasi i përgëzoi punonjësit e FSPD për performancën e këtij viti, shtoi se tashmë po vendosen sandarte gjithnjë e më të mira. “Ne nuk kemi patur incidente serioze, ndërprerje të punës për shkak të FSPD apo fatkeqësi të tjera. Kjo edhe falë veprimtarisë së FSPD”-vlerësoi drejtori Belortaja. Më tej ai kujtoi se siguria nga aktet terroriste dhe stabiliteti i shtetit në këtë territor mbeten misioni kryesor i Forcës së Sigurisë portuale. Këto standarte garantohen edhe nga imazhi I punonjësve; nga puna për të shmangur kaosin apo bllokimet e trafikut apo rerzikun e dëmtimit të pronës. Z. Belortaja e konsideroi të domosdoshëm bashkëpunimin me administratën, drejtorinë operacionale, forcën zjarrfikëse, etj. Sipas drejtorit të APD, ngritja së shpejti e një forumi të emergjencave dhe të sigurisëdo të institucionalizojë nivelin e bashkëpunimit. Në mbledhjen e FSPD u trajtuan një sërë problematikash me synim përmirsimin e performancës së kësaj Force. Më pas u zhvillua edhe analiza vjetore e sektorit të PMNZH.