APD: 2011 – 2017, më pak anije në kalata, më shumë mallra në përpunim

Numri i anijeve dhe trageteve që janë ankoruar në kalatat e portit të Durrësit gjatë 7 viteve të fundit ka ardhur në rënie, ndërsa është shënuar një rritje graduale e volumit të mallrave të përpunuara.

Sektori i Statistikave në APD ka publikuar ditët e fundit të dhënat vjetore të anijeve dhe mallrave të përpunuara gjatë periudhës 2011 – 2017.

Sipas tyre, nëse në vitin 2011 janë përpunuar 2.086 anije dhe tragete, në vitin 2017 janë përpunuar 514 mjete të tilla lundruese më pak.

Gjatë vitit të kaluar në kalatat e katër Terminaleve janë ankoruar 1.572 anije dhe tragete me mbi 3 milion e 684 mijë ton mallra gjithsej. Ndërkaq mësohet se në vitin 2011 janë përpunuar 3 milion e 490 mijë ton mallra, tregues i një rritje graduale nga viti në vit.

Sasia më e madhe e mallrave të përpunuara nga anijet dhe tragetet i përket vitit 2014, kur volumi vjetor i mallrave arriti në 3 milion e 718 mijë ton.

Nga të dhënat statistikore mësohet gjithashtu se eksportet kanë patur ndryshime të vogla vjetore për të shënuar 1 milion e 341 mijë ton gjatë vitit të kaluar, ndërsa importet me rreth 1 milion ton më shumë gjatë të njejtit vit kanë arritur shifrën vjetore prej 2 milion e 342 mijë ton.