Mbi 46 mijë udhëtarë me 11 mijë autovetura kanë shfrytëzuar portin e Durrësit për lundrimet me tragete vetëm në 5 ditët e para të muajit gusht.
Nga të dhënat operative të APD, mësohet se gjatë këtyre ditëve që koinçidojnë me pikun e bashkëatdhetarëve që vijnë për të kaluar pushimet e verës me familjet e tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni, në portin e Durrësit kanë ardhur me tragete 34,247 udhëtarë vendas dhe të huaj me 8,417 autovetura. Ndërkaq, drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes janë nisur 11,826 udhëtarë të tjerë me 2,775 autovetura.
Që nga mesi i muajit korrik në linjat detare të udhëtarëve po udhëtojnë 7 tragete gjithsej, disa nga të cilët kanë kryer edhe dy lundrime në 24 orë. Numri më i madh i udhëtarëve është regjistruar të djelën e parë të gushtit me 9,611 pasagjerë që mbërritën nga portet e Italisë në Durrës. Gjatë muajit korrik tragetet e linjave nga Durrësi dhe anasjelltas janë shfrytëzuar nga 117 mijë udhëtarë.