Një delegacion Francez nga Instituti i Studimeve të Larta të Mbrojtjes Kombëtare ( Institut des Hautes Etudes de Defence Nationale (IHEDN)), i cili kryesohej nga Ambasadorja e Republikës Franceze në Tiranë, Christina Vasak, vizitoi të djelën në mesditë portin e Durrësit.
Delegacioni francez u prit nga Zv. Drejtori i Përgjithshëm i APD, Petrit Çerçizi, i cili pasi përshëndeti mysafirët nënvizoi rëndësinë e takimeve të tilla.
Gjatë Takimit në sallën e Konferencave të APD, u shfaq një dokumentar i shkurtër mbi portin e Durrësit.
Specialistët e Promocionit dhe ata të Sigurisë portuale prezantuan situatën aktuale në portin e Durrësit, kapacitetet dhe funksionimin e tij, si dhe bashkëpunimin me institucionet dhe organizmat e tjerë në këtë hapësirë.
Ata iu përgjigjën interesimit të përfaqësuesve të Institutit Francez mbi destinacionet e mallrave si dhe për projektet kryesore që po zbatohen në portin më të madh të vendit.
Delegacioni francez vizitoi më pas dy nga Terminalet e portit, Terminalin Perëndimor dhe atë të Trageteve.