Deti i trazuar dhe era e fortë në brigjet e Italisë jugore kanë penguar natën e kaluar nisjen e dy trageteve të linjës Bari – Durrës. Ndërkaq, nga të dhënat e Qendrës së Informacionit në Autoritetin Portual Durrës, mësohet se dy tragete të tjerë, “Rigel III dhe “AF Marina” janë nisur nga Durrësi drejt Barit sot rreth orës 00.40 dhe tashmë po ankorohen në portin italian.
Sipas të njejtave burime, çrregullimet në lundrimin e trageteve të linjës Bari – Durrës kanë nisur ditën e dielë, kur në portin më të madh të vendit tonë mbërritën rreth orës 8.30 vetëm dy nga tragetet e parashikuar. Dy tragetet e tjerë “Rigel II” dhe “AF Francesca”, që pritej të mbërrinin rreth orës 21.00 të së njejtës ditë nuk u nisën dot nga Bari për arsye të motit të keq me det të trazuar dhe erë të fortë.
Kompanitë e lundrimit njoftojnë se kanë marrë masa për njoftimin e udhëtarëve me anë të telefonit për ndryshimet e orareve të nisjes së trageteve. Ndryshimi i orareve të lundrimit nga Bari ka sjellë probleme edhe në nisjen e udhëtarëve nga Durrësi, të cilët kryesisht kthehen në Itali pas festave të fundvitit pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.