APD/ ISHP trajnon personelin pritës të Terminalit të Trageteve. Kujdes i shtuar shëndetësor ndaj koronavirusit në portin më të madh të vendit 27.02.2020

Personeli pritës i udhëtarëve në Terminalin e Trageteve në portin e Durrësit po trajnohet këto ditë lidhur me masat e shtuara të kontrollit ndaj rrezikut të koronavirusit, gjatë mbërritjes së trageteve të linjave Bari – Durrës dhe Ankona – Durrës.

Sipas burimeve të Autoritetit Portual Durrës, dr.Elona Kureta nga Instituti i Shëndetit Publik dhe mjekë të tjerë nga Drejtoria e SHP në Durrës kanë zhvilluar leksione dhe bashkëbisedime me punonjës të Policisë Kufitare, të Doganës së portit, të Konçesionarit të Terminalit dhe Forcës së Sigurisë Portuale.

Në trajnimet e organizuara në Sallën e konferencave të APD, të pranishmit janë njohur gjithashtu edhe me masat e marra në shkallë vendi.

Në Terminalin e Trageteve është dyfishuar numri i personelit shëndetësor, si   pjesë e grupit kombëtar të Task Forcës, me anëtarë nga sektori i Mbrojtjes së Shëndetit në APD, si dhe nga ISHP dhe Drejtoria vendore e Shëndetit Publik.