APD: Jahti “Pan Orama” me 40 turistë britanikë ia lë vendin kroçerës “Ocean Dream” me 1238 turistë në bord

40 turistë nga Britania e Madhe kanë mbërritur sot në mëngjes në portin e Durrësit në bordin e jahtit “Pan Orama II”. Jahti me gjatësi 50 metra është ankoruar në kalatën 5 dhe turistët janë nisur me autobuz drejt destinacioneve historike dhe arkeologjike të vendit tonë.

Nga Qendra e Informacionit mësohet se jahti-velierë ka lundruar në brigjet e Adriatikut lindor, dhe natën e kaluar nga Shëngjini ka udhëtuar drejt Durrësit. Sot në mbrëmje jahti “Pan Orama” do të vijojë turin drejt Vlorës.

Ndërkaq mësohet se të martën e ardhshme në port do të ankorohet kroçera “Ocean Dream”.

Sipas agjencisë pritëse HAG, anija turistike do të sjellë në Durrës 1238 turistë të huaj.

“Ocean Dream” me flamur të Panamasë ka një gjatësi prej 205 metra dhe një personel prej 391 vetë.