10.09.2026
Këshilltari i Jashtëm i Autoritetit Portual Durrës, z. Alfred Velaj, mori pjesë në International Visitor Leadership Program (IVLP), një nga programet kryesore të shkëmbimit profesional të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Z. Velaj u përzgjodh për të marrë pjesë në programin “Small Ports”, i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara gjatë periudhës 3–14 gusht 2026, pas një procesi nominimi dhe përzgjedhjeje konkurruese, të iniciuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Departamentit të Shtetit.
Pjesëmarrja në këtë program u mundësua me mbështetjen e Autoritetit Portual Durrës, me synim shkëmbimin e eksperiencave dhe njohjen me praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e administrimit dhe sigurisë portuale.
Gjatë programit, z. Velaj zhvilloi takime dhe shkëmbime profesionale me përfaqësues të institucioneve dhe strukturave amerikane, duke u njohur nga afër me modele të ndryshme të menaxhimit të porteve të vogla, sigurisë portuale dhe detare, menaxhimit të infrastrukturës, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale.
Programi krijoi gjithashtu mundësi për shkëmbim përvojash me profesionistë dhe përfaqësues nga vende të ndryshme, duke ofruar perspektiva të reja mbi sfidat dhe praktikat e administrimit të porteve.
Për Autoritetin Portual Durrës, pjesëmarrja në këtë program përfaqëson një mundësi të rëndësishme për sjelljen dhe përshtatjen e praktikave më të mira ndërkombëtare në realitetin portual shqiptar, veçanërisht në drejtim të forcimit të sigurisë, rritjes së kapaciteteve profesionale dhe përmirësimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Autoriteti Portual Durrës vijon të mbështesë zhvillimin profesional të burimeve njerëzore dhe shkëmbimin e eksperiencave me partnerë ndërkombëtarë, në funksion të modernizimit dhe rritjes së standardeve të administrimit portual.



