Që prej tre ditësh në portin e e Durrësit është akostuar veliera nga Katari, “Fateh Al Khair 4”, e konsideruar një muze në miniaturë mbi trashëgiminë e detarisë. Lundrimi i kësaj anije, bashkë me trashëgiminë kulturore të Katarit promovon edhe Kupën e Botës në futboll “Qatar 2022”.
Ajo mbërriti në shtunën në mbrëmje dhe u prit nga dhjetra qytetarë durrsakë, artistë të moshave të ndryshme, si dhe nga autoritetet lokale. Bashkia e qytetit kishte organizuar një pritje të mrekullueshme për mysafirët nga Katari.
Autoriteti Portual kishte marrë të gjitha masat për hyrjen e velierës në port, si dhe për sigurinë e vizitorëve dhe të mjeteve. Nën kujdesin e Forcës së Sigurisë Portuale (FSPD) ditën e shtunë dhe të djelë qytetarët hynë lirisht për të parë anijen nga Katari në mjediset e portit më të madh të vendit.