APD: Moti i keq dhe deti i trazuar, masa për parandalimin e incidenteve 2 shkurt 2015

Që nga fundjava e kaluar moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë ka përfshirë rajonin detar të Durrësit dhe sipas parashikimeve situata meteorologjike do të jetë e njejtë deri në fund të javës së parë të muajit shkurt.

Fortunali që goditi të premten qytetin dhe rrethinat e tij ka shkaktuar probleme të vogla në hapësirën portuale, si rënia e 2-3 tabelave sinjalizuese. Ndërkaq si pasojë e avarive në nënstacionet elektrike furnizuese jashtë Durrësit natën e së premtes në port ka munguar për rreth një orë energjia elektrike.

Drejtoria e përgjithshme ekzekutive e APD, në bashkëpunim me Kapitenerinë e portit ka shtuar masat për parandalimin e incidenteve për shkak të motit, duke kërkuar kufizimin e trafikut detar veçanërisht gjatë natës. Masa janë marrë edhe për anijet në kalata dhe janë kërkuar zgjidhje nga Shërbimi hidrografik i Forcave detare për sigurinë e fenerëve të kanalit hyrës.

Në basenin portual veprimtaria përpunuese ka vijuar normalisht. Gjatë fundjavës në port janë përpunuar anijet “Chang Qiang” që u ngarkua me 25 mijë ton klinker, si dhe anijet “Otterhound” dhe “Ecem Kalkavan“ me përkatësisht 89 dhe 188 kontejnerë. Sot paradite në kalatën 6 ka nisur shkarkimi i anijes “MSC Jilhan” me 415 kontejnerë.

Në radën portuale ndodhet anija “Frojdi II”, e cila do të shkarkojë në kalatën 4 1450 ton lidhje hekuri. Në 24 orët e ardhshme pritet të hyjnë për përpunim edhe anijet “Vatan L” dhe “Aysegul AK”, të cilat do të shkarkojnë përkatësisht 5500 ton ure’dhe 3200 ton grurë.

Megjithë detin e trazuar, tragetet e linjave në përgjithësi nuk kanë shënuar vonesa, si në hyrje edhe në dalje nga porti më i madhi i vendit.