APD/ Nis i mbarë viti për transportin detar, në janar të 2021 u përpunuan 7 % më shumë mallra se 2020/ 16 shkurt 2021

Viti 2021 ka nisur i mbarë për transportin detar. Në Portin më të madh në vend gjatë muajit të parë të këtij viti janë përpunuar 21 mijë tonë mallra më shumë se sa në janarin e vitit 2020-të.

Nga të dhënat zyrtare të APD-së, bëhet e ditur se gjatë muajit janar 2021, në të katër Terminalet e portit të Durrësit, janë përpunuar afro 326 mijë tonë mallra gjithsej, ose 7 % se sa një vit më parë.

Janari i vitit 2020 nuk ka qenë një muaj i ndikuar nga pandemia dhe kufizimet e transporteve ndërkombëtare nga Covid 19, por rezultatet e këtij viti veçanërisht në importe janë më të larta se sa një vit më parë.

Anijet tregtare kanë transportuar nga/drejt Durrësit mbi 121 mijë tonë mallra, konteinerët mbi 141 mijë tonë, ndërsa kamionët dhe trailerët me tragete mbi 63 mijë tonë të tjerë.