APD prezantohet në në edicionin e VIII të Panairit “Work & Study” Tiranë

-Interesim i të rinjve për pavijonin e APD-

Autoriteti Portual Durrës është prezantuar sot paradite me një pavijon të veçantë në edicionin e VIII të Panairit “Work & Study”, që organizohet nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve, si tre partnere të qëndrueshme në fushën e arsimit dhe punësimit. Në panairin e përvitshëm që u çel sot në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë marrin pjesë mbi 40 kompani, 20 universitete dhe institucione të ndryshme, mes të cilave edhe APD. Autoriteti Portual Durrës është pjesmarrës thuajse në të gjitha edicionet e këtij Panairi që ka nisur në vitin 2010. Edicioni i këtij viti do të zgjasë tre ditë dhe do të mbyllet të shtunën në mbrëmje. “WORK & STUDY” është kthyer tashmë në traditë, në institucion dhe domosdoshmëri për përshtatjen e burimeve njerëzore. Ky panair është një mundësi ku institucionet dhe sipërmarësit ofrojnë vende pune dhe bursa studimi për të përmirësuar zhvillimin profesional dhe orientimin e të rinjve drejt tregut të punës.